Carlos Omar Oyuela Aguilar u qëllua për vdekje gjatë një grabitjeje të dhunshme, ndërsa skuadra e tij e përshkruan si një lider të paharrueshëm brenda dhe jashtë fushës
Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e futbollit në Honduras, ku futbollisti 26-vjeçar Carlos Omar Oyuela Aguilar, kapiten i Club Deportivo Napoles, është vrarë me armë zjarri gjatë një grabitjeje të dhunshme.
Sipas raportimeve lokale, Aguilar po udhëtonte me motor në zonën Marcovia, në jug të Honduras, mbrëmjen e 27 janarit, kur persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën. Gjatë përpjekjes për ta grabitur, ai është qëlluar disa herë dhe është lënë i plagosur rëndë në rrugë.
Futbollisti është transportuar fillimisht në një spital në Choluteca dhe më pas në një qendër më të specializuar në kryeqytetin Tegucigalpa, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, duke ndërruar jetë pak pas mbërritjes.
Aguilar ishte një figurë kyçe për Club Deportivo Napoles, skuadër që së fundmi kishte marrë pjesë në turneun Campeonato Navideño 2025-26. Klubi reagoi me një mesazh prekës, duke theksuar se lidershipi, përkushtimi dhe dashuria e tij për futbollin lanë një gjurmë të pashlyeshme tek shokët e ekipit dhe komuniteti sportiv.
Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit, ndërsa ngjarja rikthen në vëmendje problemin e sigurisë dhe nivelin e lartë të dhunës në Honduras, një nga vendet me shkallën më të lartë të vrasjeve në botë.

