
Mario Pineida, 33 vjeç, humb jetën pas një sulmi pranë një dyqani, klubi shpreh tronditje dhe dhimbje
Futbolli ekuadorian është tronditur nga vrasja e futbollistit të Barcelonës Sporting Club, Mario Pineida. Lojtari 33-vjeçar, pjesë e kombëtares së Ekuadorit, u qëllua për vdekje me armë zjarri pranë një dyqani në veri të qytetit Guayaquil, sipas konfirmimit zyrtar të klubit.
Barcelona SC njoftoi lajmin përmes rrjeteve sociale, duke shprehur keqardhje të thellë për humbjen e lojtarit dhe duke theksuar se ngjarja ndodhi si pasojë e një sulmi të armatosur. Sipas mediave lokale, Pineida u sulmua nga persona që lëviznin me motoçikleta, ndërsa autoritetet policore kanë nisur hetimet pa dhënë ende detaje shtesë.
Pineida kishte luajtur më parë edhe për Fluminense në Brazil dhe kishte veshur fanellën e kombëtares së Ekuadorit në nëntë ndeshje mes viteve 2015 dhe 2021, përfshirë takime kualifikuese për Kupën e Botës në vitet 2018 dhe 2022. Karrierën e tij e nisi te Independiente del Valle, përpara se të bashkohej me Barcelonën SC në vitin 2016, ku ishte pjesë e dy titujve kampion.
Ngjarja vjen në një moment shqetësues për Guayaquil, qytet që prej muajsh po përballet me rritje të ndjeshme të dhunës së lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Vetëm muajin e kaluar, një futbollist 16-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një plumb qorr, një tjetër rast që ka rritur alarmet për sigurinë në vend.
Vrasja e Mario Pineidës ka shkaktuar reagime të shumta në botën e futbollit dhe ka rikthyer në vëmendje situatën e rëndë të sigurisë në Ekuador, ku sportistë dhe qytetarë po bëhen gjithnjë e më shpesh viktima të dhunës.
