
Gruaja nga Teksasi akuzohet për rrezikim të jetës së konsumatorëve pas manipulimit të produkteve ushqimore në dy dyqane Walmart
Një ngjarje e rëndë që ka alarmuar autoritetet dhe konsumatorët është regjistruar në Shtetet e Bashkuara, ku një grua akuzohet se ka futur brisqe rroje brenda bukëve të shitura në dy supermarkete Walmart në qytetin Biloxi, në shtetin e Misisipit.
Sipas policisë lokale, Camille Benson, 33 vjeçe, me origjinë nga Teksasi, është arrestuar dhe akuzohet për veprën penale të rrezikimit të rëndë të jetës. Gjykata ka caktuar për të një garanci prej 100 mijë dollarësh.
Rasti doli në dritë pasi disa klientë raportuan se kishin gjetur brisqe rroje brenda bukëve të blera në një Walmart Supercenter dhe në një Walmart Neighborhood Market. Ankesa e parë u bë më 5 dhjetor, ndërsa një tjetër rast u raportua më 8 dhjetor. Pas një ankese të tretë, punonjësit e dyqanit kontrolluan raftet dhe zbuluan se edhe disa bukë të tjera ishin manipuluar.
Policia u njoftua zyrtarisht të hënën dhe nisi menjëherë hetimet. Autoritetet u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që kishin blerë bukë në këto dy pika shitjeje të kontrollonin produktet dhe të raportonin çdo rast të dyshimtë.
Walmart reagoi përmes një deklarate zyrtare, duke theksuar se siguria e klientëve është prioritet absolut. Kompania njoftoi se të gjitha produktet e dyshuara janë hequr nga raftet dhe janë kontrolluar, ndërsa bashkëpunimi me policinë do të vijojë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Policia e Biloxit bëri me dije se deri tani nuk ka prova që dyqane të tjera të Walmart në zona të ndryshme të jenë prekur nga ky veprim i rrezikshëm. Ndërkohë, autoritetet u kanë kërkuar konsumatorëve që çdo produkt ushqimor i dyshuar për manipulim të hidhet menjëherë dhe të kthehet në dyqan për rimbursim të plotë.
Hetimet vijojnë për të zbuluar motivet e autores dhe për të përcaktuar nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë në këtë akt që rrezikoi seriozisht shëndetin publik.
