
Regjistrimet e bëra nga vetë Ergys Agasi u sekuestruan nga SPAK dhe hodhën dritë mbi takime me zyrtarë e biznesmenë
Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore ku në qendër ndodhet Ergys Agasi, i cili sipas materialeve të administruara nga SPAK kishte vendosur vetë një kamerë të fshehtë në zyrën e tij të punës. Me këtë pajisje, Agasi filmoi çdo takim që zhvillonte, duke ruajtur pamjet në një hard disk që më pas u sekuestrua nga prokuroria gjatë një hetimi fillestar për kontrabandë cigaresh.
Pamjet audio dhe video, sipas burimeve hetimore, rezultuan vendimtare për zbardhjen e çështjes. Në to, Agasi shfaqet duke zhvilluar biseda dhe pazare lidhur me tendera publikë me shefen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si edhe me biznesmenin Ermal Beqiri. Regjistrimet, të cilat fillimisht dyshohej se do ta mbronin, përfunduan duke e fundosur vetë Agasin dhe duke zbuluar mekanizmin e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se manipulonte dhe zhvaste tendera shtetërorë.
Sipas hetimeve, aktiviteti i këtij grupi nuk kufizohej vetëm te pazaret për kontrata publike. Dosja është rënduar më tej nga dyshimet se anëtarët e rrjetit kanë qenë të përfshirë edhe në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, një episod që e thellon akuzën dhe rrit peshën penale të çështjes.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kamera e fshehtë ka regjistruar edhe takime të tjera, ku dyshohet se përfshihen persona nga politika, policia dhe bota e biznesit. Këto pamje pritet të analizohen në vijim nga SPAK, ndërsa hetimi konsiderohet ende në fazë të zgjeruar dhe me zhvillime të reja në horizont.
