
Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho janë emrat që do të garojnë për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit në dhjetor.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar sot listën përfundimtare të katër kandidatëve që do të konkurrojnë për postin e kreut të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Pas verifikimeve të kryera nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, u konstatua se të katër prokurorët plotësojnë të gjitha kriteret ligjore për të marrë pjesë në garë. Kryetari i komisionit, Sokol Stojani, bëri të ditur se në listë janë përfshirë Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, të cilët aktualisht shërbejnë brenda strukturës së SPAK.
“Secili prej kandidatëve ka paraqitur platformën e tij të drejtimit, nuk mban masë disiplinore dhe përmbush të gjitha kushtet ligjore për të kandiduar,” tha Stojani gjatë mbledhjes. Vendimi u miratua me 10 vota pro, ndërsa anëtari Zeqir Hodaj u tërhoq nga votimi duke deklaruar konflikt interesi, pasi i biri është pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), institucion që bashkëpunon ngushtë me SPAK.
Hodaj theksoi se largimi i tij ishte një masë për të garantuar integritetin e procesit, ndërsa kërkoi që Këshilli të ketë kohën e nevojshme për të vijuar me transparencë dhe pa ndikime.
Mandati trevjeçar i drejtuesit aktual të SPAK, Altin Dumani, përfundon në muajin dhjetor, ndërsa pasardhësi i tij do të qëndrojë në detyrë deri në fund të vitit 2028. Procesi i përzgjedhjes pritet të zhvillohet në javët e ardhshme përmes intervistave publike dhe vlerësimit të platformave të kandidatëve, të cilët do të paraqesin vizionin e tyre për vijimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit.
Gara për drejtimin e SPAK shihet si një nga zhvillimet më të rëndësishme të këtij fundviti, pasi emri që do të zgjidhet pritet të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e hetimeve të bujshme që po ndjek Prokuroria e Posaçme ndaj zyrtarëve të lartë, ish-funksionarëve publikë dhe strukturave të krimit të organizuar.