
Edhe nëse Teherani hyn në një epokë pas Khameneit, pasdaranët mbeten forca më e fuqishme ushtarake, politike dhe ekonomike e vendit
Gardianët e Revolucionit Islamik, të njohur si pasdaranë, konsiderohen prej më shumë se katër dekadash shtylla më e fortë e Republikës Islamike të Iranit. Me rreth 125 mijë trupa, një aparat të gjerë sigurie dhe një ndikim të thellë ekonomik, kjo strukturë ka kaluar prej kohësh rolin e saj fillestar si mbrojtëse e regjimit, duke u shndërruar në një aktor kyç të pushtetit real në vend.
Sipas një analize të publikuar nga e përditshmja libaneze L’Orient-Le Jour, edhe nëse regjimi aktual do të përballej me shembje apo me tranzicion pas largimit të udhëheqësit suprem, Gardianët e Revolucionit do të ruanin një rol qendror në të ardhmen e Iranit. Institucioni shihet si struktura më e konsoliduar e shtetit, me kontroll mbi sektorë strategjikë të ekonomisë dhe ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje.
Në planin rajonal, Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik ka ndërtuar ndër vite një rrjet të gjerë grupesh të armatosura besnike ndaj Teheranit, duke zgjeruar ndikimin iranian në Lindjen e Mesme dhe duke shkaktuar shqetësim të vazhdueshëm te fqinjët arabë. Ky rrjet, megjithatë, është goditur rëndë pas zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe përplasjesh që kanë dobësuar të ashtuquajturin bosht të rezistencës.
Situata e brendshme në Iran paraqitet po ashtu e brishtë. Protestat e vazhdueshme, presioni ndërkombëtar, pengesat në programin bërthamor dhe ndryshimet në rendin global, të ndikuara edhe nga rikthimi i Donald Trump në skenën politike, kanë nxjerrë në pah dobësitë e regjimit. Në këtë kontekst, e ardhmja e Republikës Islamike, ashtu siç ka funksionuar që prej vitit 1979, vihet seriozisht në pikëpyetje.
Ndërsa shëndeti dhe mosha e udhëheqësit suprem Ali Khamenei e bëjnë të pashmangshëm diskutimin për një epokë të re politike në Iran, shumë analistë vlerësojnë se pasdaranët janë struktura më e përgatitur për të mbijetuar dhe për të ruajtur ndikimin, pavarësisht ndryshimeve në majën e pushtetit.
