
Komiteti do të mbikëqyrë tranzicionin e Gazës nga konflikti drejt paqes dhe zhvillimit, duke mobilizuar burime ndërkombëtare dhe duke garantuar përgjegjshmëri
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka shpallur zyrtarisht krijimin e të ashtuquajturit “Boardi i Paqes” për Gazën, një strukturë ndërkombëtare që synon të udhëheqë fazën e pasluftës në territorin palestinez, nga stabilizimi dhe siguria deri te rindërtimi dhe zhvillimi afatgjatë. Lajmi është bërë publik përmes një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë.
Sipas deklaratës zyrtare, në këtë bord janë emëruar figura të rëndësishme politike, diplomatike dhe financiare. Mes tyre janë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, negociatori Steve Witkoff, dhëndri i Trump Jared Kushner, ish-kryeministri britanik Tony Blair, CEO i Apollo Global Management Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert Gabriel.
Shtëpia e Bardhë thekson se “Boardi i Paqes” do të luajë një rol thelbësor në zbatimin e të gjitha 20 pikave të planit amerikan për Gazën, duke ofruar mbikëqyrje strategjike, duke mobilizuar burime ndërkombëtare dhe duke garantuar përgjegjshmëri gjatë tranzicionit të Gazës nga konflikti drejt paqes dhe zhvillimit.
Sa i përket funksionimit të bordit, çdo anëtar i Këshillit Ekzekutiv do të mbikëqyrë një portofol specifik, të konsideruar kyç për stabilizimin e Gazës dhe suksesin e saj afatgjatë. Këto fusha përfshijnë ndërtimin e kapaciteteve qeverisëse, marrëdhëniet rajonale, rindërtimin, tërheqjen e investimeve, financimin në shkallë të gjerë dhe mobilizimin e kapitalit ndërkombëtar.
Për të mbështetur këtë model operacional, Tramp ka emëruar Aryeh Lightstone dhe Josh Gruenbaum si këshilltarë të lartë të “Bordit të Paqes”. Ndërkohë, ish-i dërguari i OKB-së Nickolay Mladenov, i cili është pjesë e Këshillit Ekzekutiv, do të mbajë rolin e Përfaqësuesit të Lartë për Gazën. Në këtë funksion, ai do të shërbejë si lidhja në terren mes Bordit të Paqes dhe Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, i cili do të drejtohet nga Ali Sha’ath.
Mladenov do të mbështesë mbikëqyrjen e bordit mbi të gjitha aspektet e qeverisjes, rindërtimit dhe zhvillimit të Gazës, duke garantuar njëkohësisht koordinimin mes shtyllave civile dhe atyre të sigurisë. Për garantimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm pa terrorizëm, Tramp ka emëruar gjeneralin amerikan Jasper Jeffers si komandant të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit. Ai do të drejtojë operacionet e sigurisë, do të mbështesë çmilitarizimin e plotë dhe do të lehtësojë shpërndarjen e sigurt të ndihmave humanitare dhe materialeve për rindërtim.
Në mbështetje të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë dhe Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, do të krijohet edhe një Këshill Ekzekutiv për Gazën. Anëtarët e këtij këshilli përfshijnë Steve Witkoff, Jared Kushner, ministrin e Jashtëm të Turqisë Hakan Fidan, Ali Al-Thawadi, gjeneralin Hassan Rashad, Tony Blair, Marc Rowan, Reem Al-Hashimy, Nickolay Mladenov, Yakir Gabay dhe koordinatoren humanitare të OKB-së Sigrid Kaag.
Një element i rëndësishëm politik është edhe ftesa e drejtpërdrejtë që Trump i ka bërë presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për t’u bërë pjesë e Board of Peace. Lajmi është konfirmuar nga presidenca turke, ndërsa më herët ishte bërë e ditur se ministri i Jashtëm Hakan Fidan do të jetë pjesë e këshillit ekzekutiv.
Shtëpia e Bardhë thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të angazhuara për të mbështetur këtë kornizë tranzicioni, duke punuar ngushtë me Izraelin, vendet kryesore arabe dhe komunitetin ndërkombëtar për realizimin e Planit Global. Tramp ka ftuar të gjitha palët të bashkëpunojnë plotësisht me Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës, Bordin e Paqes dhe Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për të garantuar zbatimin e shpejtë dhe të suksesshëm të planit.
Sa i përket rolit të Italisë, kryeministrja Giorgia Meloni ka deklaruar nga ambasada italiane në Tokio se ende priten vendimet përfundimtare lidhur me përbërjen politike të bordit. Ajo ka theksuar se Italia ka dhënë dhe vazhdon të japë gatishmërinë për të pasur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e planit të paqes për Lindjen e Mesme, të cilin e cilëson si një mundësi unike në një kontekst jashtëzakonisht kompleks dhe të brishtë. Meloni nuk ka përjashtuar as pjesëmarrjen e Italisë në takime të nivelit të lartë për Gazën apo Ukrainën, nëse ato do të zhvillohen në vijim.
