Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim ndaj gazetarit dhe prezantuesit të njohur të televizionit, Alfonso Signorini, pas një denoncimi të bërë nga ish-konkurrenti i “Grande Fratello”, Antonio Medugno.
Në kallëzimin e dorëzuar më 24 dhjetor, Medugno, i asistuar nga avokatët Cristina Morrone dhe Giuseppe Pipicella, kërkon ndjekje penale për dhunë seksuale dhe shantazh, akuza që tani janë regjistruar në dosjen e hetimit. Hetimi drejtohet nga prokurorja Letizia Mannella, e cila koordinon punën me kolegun Alessandro Gobbis, që gjithashtu po heton ish-“mbretin e paparacëve”, Fabrizio Corona, për akuzën e “revenge porn” bazuar në kallëzimin e Signorin.
Dosja e nisur ka lejuar sekuestrimin e fotove, videove dhe bisedave në chat, gjë që ka nxitur Medugno të denoncojë Signorin. Burime ligjore njoftojnë se ish-konkurrentë të tjerë, përfshirë Gianluca Costantino, po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së kallëzimeve të ngjashme.
Ndërkohë, Corona ka reaguar me një video të gjatë në rrjetet sociale, duke kritikuar deklaratat e avokatëve të Signorin dhe Mediaset mbi vendimin e prezantuesit të pezullonte aktivitetet e tij për të përballuar atë që ai e ka quajtur “një fushatë shpifëse”. Mediaset ka konfirmuar mbështetjen e vendimit dhe ka theksuar gatishmërinë për të kundërshtuar përhapjen e informacioneve të pasakta, duke rikujtuar gjithashtu punonjësit për zbatimin e rreptë të kodit etik.
Codacons ka reaguar duke kërkuar pezullimin e transmetimit të edicionit të ri të “Grande Fratello”, duke theksuar se autopezullimi i Signorinit nuk mjafton për të garantuar mbrojtjen e publikut dhe të të drejtave të përdoruesve. Asociacioni ka depozituar gjithashtu kallëzim pranë AGCM dhe Agcom, duke kërkuar nisjen e hetimeve për shkelje të mundshme të transparencës dhe korrektësisë në procesin e seleksionimit të konkurrentëve.
