
I njohur për raportimet e tij nga terreni gjatë dy viteve të luftës, Aljafarawi u qëllua për vdekje në lagjen Sabra të Gazës, në përplasjet mes forcave të Hamasit dhe një milicie të lidhur me Izraelin, vetëm pak ditë pas shpalljes së armëpushimit.
Gazetari palestinez Saleh Aljafarawi, 28 vjeç, është vrarë gjatë përplasjeve të armatosura në qytetin e Gazës, në momentin kur mbulonte zhvillimet pas armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Ai u qëllua nga pjesëtarë të një milicie të armatosur të lidhur me pushtimin izraelit, në lagjen Sabra.
Pamjet e verifikuara nga agjencia Sanad tregojnë trupin e gazetarit mbi një kamion, me jelekun e tij të shtypit ende të veshur. Ai kishte humbur kontaktin që nga e diela në mëngjes. Burime lokale raportojnë se përplasjet ndodhën mes forcave të sigurisë së Hamasit dhe luftëtarëve të klanit Doghmush, megjithëse autoritetet nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë version.
Ministria e Brendshme e Gazës deklaroi se milicia e armatosur ishte rrethuar nga forcat e sigurisë dhe se anëtarët e saj kishin vrarë edhe civilë të zhvendosur që po ktheheshin nga jugu i Gazës në shtëpitë e tyre.
Në një intervistë të dhënë në janar, Aljafarawi kishte treguar për frikën dhe kërcënimet që kishte marrë për shkak të punës së tij. “Jetoja çdo sekondë me frikë. Nuk e dija çfarë mund të sillte momenti tjetër,” kishte thënë ai.
Vrasja e tij e çon në mbi 270 numrin e gazetarëve të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës në tetor 2023, konflikti më vdekjeprurës për median në historinë moderne.
Ndërkohë, ndërsa armëpushimi po hyn në ditën e tretë, liderët botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Tramp dhe atë egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, pritet të takohen në Sharm el-Sheikh për një samit që synon të përfundojë luftën dhe të hapë një epokë të re paqeje dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme.