
Sipas saj, nëse Sali Berisha zgjedh një pasues politik, më i mundshmi është Këlliçi dhe jo Salianji, që nuk shihet i preferuar mes demokratëve.
Gazetarja Ambrozia Meta ka komentuar skenarin se kush mund të marrë drejtimin e Partisë Demokratike pas largimit të Sali Berishës. Sipas saj, emri më i mundshëm për të trashëguar partinë me bekimin e ish-kryeministrit është Belind Këlliçi.
Meta deklaroi se Këlliçi shihet si figura që Berisha mund ta mbështesë për të marrë drejtimin e PD-së, duke e krahasuar situatën me rastin e Lulzim Bashës në të kaluarën. Ajo theksoi se një trashëgim politik i tillë mund të ndodhë vetëm nëse vetë Berisha vendos ta lë partinë në dorën e dikujt.
Gazetarja theksoi se Ervin Salianji nuk gëzon mbështetje të lartë brenda demokratëve dhe nuk perceptohet si figurë udhëheqëse, ndërsa edhe për Këlliçin ka rezerva për sa i përket profilit lider, por nëse do të ketë një pasardhës me bekim nga Berisha, ajo beson se ai do të ishte Belind Këlliçi.
Mbetet për t’u parë nëse zhvillimet e ardhshme politike do ta konfirmojnë këtë skenar, teksa Partia Demokratike vijon të kërkojë rrugën e saj drejt konsolidimit dhe drejtimit të së ardhmes.
