Në një konferencë me akademikë dhe ekspertë, guvernatori vë në qendër historinë, stabilitetin financiar dhe të ardhmen e sistemit bankar
Në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të krijimit të Bankës së Shqipërisë, guvernatori Gent Sejko prezantoi një monedhë të re përkujtimore. Ngjarja u shoqërua me një konferencë shkencore, ku morën pjesë ekonomistë, studiues dhe përfaqësues institucionesh nga brenda dhe jashtë vendit. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Sejko u ndal te rëndësia historike e Bankës së Shqipërisë si institucion kyç për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Ai theksoi se kjo datë përfaqëson një moment reflektimi mbi rrugëtimin një shekullor të institucionit, duke filluar nga vizioni i rilindasve për një ekonomi të pavarur e deri tek roli aktual në tregjet moderne financiare.
Sejko evidentoi rritjen ekonomike të dekadave të fundit, forcimin e kursit të monedhës vendase, zgjerimin e tregut të kredive dhe rritjen e investimeve të huaja. Ai theksoi se përveç periudhave të vështira, ekonomia shqiptare ka ruajtur stabilitetin dhe se besimi në sistemin bankar është rritur ndjeshëm.
Në përmbyllje, guvernatori deklaroi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë financiare, duke u përshtatur me sfidat e kohës dhe kërkesat e tregut. Monedha përkujtimore e prezantuar do të nxirret në qarkullim si simbol i këtij jubileu dhe i historisë institucionale të bankës qendrore.

