
Diplomati francez paralajmëron se epoka e bashkimit me SHBA-në mbi vlerat dhe sigurinë ka përfunduar dhe se Evropa rrezikon të mbetet e përçarë përballë presionit amerikan
Nga kronika e publikuar nga Gérard Araud del një mesazh i drejtpërdrejtë dhe i ashpër për kryeqytetet europiane: lidhja transatlantike, e ndërtuar që prej vitit 1945 mbi idenë e një komuniteti të përbashkët vlerash dhe sigurie, është thyer. Sipas tij, sinjali përfundimtar erdhi nga Davosi, ku presidenti amerikan Tramp u bëri të qartë aleatëve se SHBA nuk e sheh më veten si pjesë të së njëjtës arkitekturë politike dhe morale me Evropën.
Araud argumenton se administrata amerikane nuk ndan më vlera themelore me Bashkimin Europian, duke mbështetur hapur forca të ekstremit të djathtë në kontinent dhe duke promovuar një model politik iliberal edhe përtej Atlantikut. Në këtë kontekst, ai ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë europiane dhe besueshmërinë e garancive amerikane, veçanërisht brenda NATO-s.
Sipas diplomatit francez, shqetësimi bëhet edhe më i madh kur SHBA kërcënon vende europiane, mban qëndrime të favorshme ndaj Rusisë në raport me Ukrainën dhe lë të kuptohet se mbrojtja kolektive nuk është më e padiskutueshme. Këto zhvillime, thotë Araud, e vendosin Evropën përballë një prove historike.
Në analizën e tij, Franca shihet si një nga vendet e pakta që mund të marrë rolin udhëheqës për të ndërtuar një koalicion shtetesh europiane që refuzojnë nënshtrimin politik dhe strategjik. Ai thekson se disa kryeqytete ende ushqejnë iluzione për rikthimin e marrëdhënieve të vjetra me Uashingtonin, por realiteti i ri kërkon vendime të guximshme dhe një autonomi më të madhe strategjike të Evropës.
Mesazhi i Araud është i qartë: Evropa ose do të tregojë se është në lartësinë e momentit historik, ose rrezikon të mbetet e dobët dhe e përçarë në një botë ku aleancat tradicionale nuk janë më të garantuara.
