
Kryeministrja italiane nxjerr në shitje objektet mbi 300 euro të marra nga liderë botërorë, vlera totale arrin rreth 800 mijë euro
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka vendosur të nxjerrë në ankand një pjesë të dhuratave të marra gjatë vizitave dhe takimeve zyrtare me liderë të huaj, në përputhje me ligjin që ndalon mbajtjen personale të objekteve me vlerë të lartë ekonomike. Në ankand do të përfshihen dhuratat me vlerë mbi 300 euro, ndërsa shuma e përgjithshme e tyre vlerësohet rreth 800 mijë euro.
Procesi i ankandit do të organizohet nga shtëpia romake Bertolami Fine Art, e vendosur në Palazzo Caetani Lovatelli në Romë. Ende nuk është bërë publike lista zyrtare e objekteve që do të dalin në shitje, por sipas një interpelance parlamentare të deputetit Francesco Bonifazi, bëhet fjalë për më shumë se 270 dhurata që aktualisht ruhen në ambientet e Palazzo Chigi.
Mes objekteve të përfshira janë dhurata nga liderë të njohur botërorë. Dhurata më e hershme daton në samitin G20 në Bali në nëntor 2022, ku kryeministri indian Narendra Modi i dhuroi Melonit një veshje tradicionale të grave të Keralas. Në listë gjenden gjithashtu qilima të marrë gjatë udhëtimeve në Libi dhe vende të tjera arabe, piktura, bizhuteri, objekte dekorative metalike dhe qeramike, si edhe këpucë prej pitoni blu të dhuruara nga një stiliste saudite.
Vëmendje të veçantë ka marrë edhe shamia e dhuruar në Abu Dhabi nga kryeministri shqiptar Edi Rama, me rastin e 48-vjetorit të Giorgia Melonit. Ndër dhuratat e tjera përfshihen një servis çaji prej porcelani nga kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe një tas qeramike i dhuruar nga ish-presidenti amerikan Joe Biden.
Ankandi pritet të ngjallë interes të madh, jo vetëm për vlerën materiale të objekteve, por edhe për simbolikën diplomatike që ato përfaqësojnë, duke sjellë në vëmendje një aspekt më pak të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare.
