
Kryeministrja italiane ruan mbështetjen ndërkombëtare dhe kontrollin e brendshëm, ndërsa balancohet mes Brukselit dhe frymës së ekstremit të djathtë që e solli në pushtet.
Tre vite pas marrjes së drejtimit të qeverisë italiane, Giorgia Meloni ka arritur atë që shumë paraardhës nuk e patën: stabilitetin. Që prej tetorit 2022, liderja e Fratelli d’Italia ka mbajtur fort frenat e pushtetit, duke u bërë jo vetëm gruaja e parë që drejton qeverinë në Itali, por edhe figura më jetëgjatë e një kabineti që prej pasluftës.
Falë politikave të kujdesshme fiskale dhe uljes së deficitit, Meloni ka qetësuar tregjet dhe ka fituar një vështrim pozitiv nga Brukseli. Por pas këtij imazhi të qetë dhe europian fshihet një linjë politike që mbetet thellësisht ideologjike: ajo e një udhëheqëseje të djathtë radikale që po afrohet gjithnjë e më shumë me Donald Trump, duke imituar strategjitë dhe retorikën e tij në skenën e brendshme.
Në Itali, qeveria e saj shënon renditjen e tretë për jetëgjatësi që nga viti 1946, por rezultatet konkrete në ekonomi dhe reformë mbeten të pakta. Projektet për reformën e drejtësisë dhe ndryshimin e sistemit institucional janë bllokuar, ndërsa rritja ekonomike vazhdon të jetë e ulët.
Në arenën ndërkombëtare, Meloni ka ditur të ruajë ekuilibrin midis bashkëpunimit me Bashkimin Europian dhe një pozicionimi më të ashpër në çështjet e migracionit dhe sovranitetit kombëtar. Ndërkohë, në sytë e shumë analistëve, ajo po shndërrohet në një version “italian” të Tramp, që e përdor stabilitetin si platformë për ta zgjatur ndikimin politik dhe ideologjik përtej kufijve të vendit të saj.