Një 19-vjecare është gjendur e vdekur në oborrin e një pallati në Milano.
Sipas familjarëve, Aurora Livoli, ishte larguar prej më shumë se një muaji nga shtëpia. Kontakti i fundit me të kishte qenë mëngjesin e 26 nëntorit, kur ajo u kishte thënë se ishte mirë dhe se nuk kishte ndërmend të kthehej, pa dhënë informacion mbi vendndodhjen e saj.
Karabinierët, publikuan dy pamje nga kamerat e sigurisë ku vajza shihet duke ecur në rrugë pak para se të hynte në një pallat në Via Paruta. Ajo paraqitet me flokë të errët deri në supe, e veshur me atlete dhe një xhaketë.
Sipas mediave, në pamje, 19-vjeçarja duket e qetë dhe nuk shfaq shenja shqetësimi. Pas saj shihet një burrë i gjatë dhe i dobët, i veshur me një bluzë të bardhë, i cili nuk shfaqet qartë në pamje.
Ai është filmuar rreth një orë më vonë duke u larguar nga e njëjta zonë, këtë herë i vetëm. Sipas hetuesve, asgjë në pamje nuk sugjeron ndjekje apo dhunë në atë moment, duke lënë të kuptohet se dy personat mund të njiheshin.
Kur u gjet, Aurora nuk kishte me vete dokumente identifikimi, telefon apo shenja dalluese që mund të ndihmonin në identifikimin e saj. Verifikimet në arkivat e gjurmëve të gishtërinjve (AFIS), kërkimet në qendrat e pritjes dhe dëshmitë e banorëve të zonës nuk dhanë rezultat. Askush nuk deklaroi se e kishte parë më parë në atë lagje.
Për këtë arsye, Prokuroria autorizoi publikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë, çka çoi më pas në identifikimin e saj.
Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë. Autopsia, që pritet të kryhet në orët në vijim, do të përcaktojë nëse shenjat e vërejtura në qafë lidhen me vdekjen dhe nëse ato i paraprijnë apo jo asaj, si edhe nëse ka pasur dhunë.
Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të identifikuar burrin e parë në shoqërinë e Aurorës dhe për të rindërtuar orët e fundit të jetës së saj.
