
Mediat amerikane flasin për një ngjarje të rëndë në Los Angeles, dyshime të rënda bien mbi rrethin familjar
Një lajm tronditës po qarkullon në mediat amerikane lidhur me regjisorin dhe aktorin e njohur Rob Reiner dhe bashkëshorten e tij, Michelle Reiner, të cilët raportohet se janë gjetur pa shenja jete në banesën e tyre në Los Angeles, mëngjesin e së dielës, më 14 dhjetor.
Sipas raportimeve të publikuara nga media ndërkombëtare, autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa burime të cituara nga People Magazine pretendojnë se dyshimet janë përqendruar te djali i çiftit, Nick Reiner. Të njëjtat burime sugjerojnë se hetimet kanë marrë një kthesë të papritur, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin e tij të mundshëm në ngjarje.
Rob Reiner është një nga emrat më të njohur të kinemasë amerikane, i cili u bë i famshëm fillimisht si aktor në serialin All in the Family dhe më pas si regjisor i disa prej filmave më ikonikë të Hollivudit, mes tyre This Is Spinal Tap, A Few Good Men, The Princess Bride, Stand by Me dhe Misery.
Ai ishte martuar me Michelle Reiner që prej vitit 1989 dhe së bashku kishin tre fëmijë, Jake, Nick dhe Romy. Vëmendje e veçantë po i kushtohet Nick Reinerit, i cili vite më parë kishte folur publikisht për betejën e gjatë me varësinë nga droga dhe periudha të errëta të jetës së tij, përfshirë edhe kohë kur kishte mbetur i pastrehë.
Autoritetet në Los Angeles nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare përfundimtare, ndërsa hetimet janë në vijim për të sqaruar plotësisht çfarë ka ndodhur. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të fortë në botën e filmit dhe opinionin publik, ndërsa priten detaje të reja nga organet ligjzbatuese.
