
Autoritetet amerikane po hetojnë një vdekje të re në zonën Disney Springs, ndërsa bilanci i ngjarjeve tragjike rrit shqetësimin publik
Një tjetër ngjarje e rëndë ka goditur Walt Disney World, duke rritur në gjashtë numrin e vdekjeve të regjistruara në territorin e resortit brenda disa muajsh. Sipas autoriteteve të Qarkut Orange, një burrë është gjetur i pajetë mbrëmjen e së premtes në një parkim në zonën Disney Springs, një hapësirë e frekuentuar si nga turistët ashtu edhe nga banorët vendas.
Sherifi i qarkut bëri të ditur se rasti po hetohet dhe se paraprakisht po trajtohet si vetëvrasje, ndërsa nuk janë dhënë ende detaje të tjera zyrtare. Disney Springs është një nga zonat e pakta të kompleksit që nuk kërkon biletë hyrjeje dhe as pagesë parkimi, çka e bën atë një pikë shumë të vizituar.
Kjo ngjarje vjen pas një serie vdekjesh të raportuara në resort që nga muaji tetor. Brenda një periudhe rreth njëmujore, pesë persona humbën jetën në ambiente të ndryshme të Disney World, disa për shkaqe shëndetësore dhe të tjera që autoritetet i kanë klasifikuar si vetëvrasje.
Seria e ngjarjeve ka ngritur pikëpyetje dhe shqetësim të gjerë në opinionin publik amerikan, veçanërisht duke pasur parasysh reputacionin e Disney World si destinacion familjar dhe simbol i argëtimit. Deri më tani, përfaqësuesit e Disney nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me rastin e fundit.
Autoritetet theksojnë se hetimet janë në vijim dhe se çdo informacion i ri do të bëhet publik sapo të konfirmohet, ndërsa apelohet për kujdes dhe ndihmë profesionale për këdo që ndodhet në vështirësi psikologjike.
