
Autoritetet ruse dyshojnë për atentat të organizuar nga inteligjenca ukrainase, ndërsa ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë e elitës ushtarake
Një gjeneral i lartë i ushtrisë ruse është vrarë mëngjesin e sotëm në Moskë, pasi automjeti me të cilin udhëtonte u godit nga një shpërthim i fuqishëm, që sipas autoriteteve dyshohet të ketë qenë atentat i mirëorganizuar.
Viktima është gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, 56 vjeç, drejtues i Departamentit të Trajnimit Operacional të Forcave të Armatosura të Rusisë. Ai ishte nisur drejt Ministrisë së Mbrojtjes me automjetin e tij tip Kia Sorento, kur rreth orës 06:55 shpërtheu një mjet eksploziv i vendosur poshtë makinës, në distriktin Yasenevo të Moskës.
Fillimisht autoritetet raportuan se Sarvarov ishte plagosur rëndë dhe ishte nxjerrë i gjallë nga mjeti i shkatërruar, por pak më vonë u konfirmua se ai kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Sipas informacioneve paraprake, gjenerali kishte pësuar plagë të shumta nga copëzat e shpërthimit, fraktura dhe dëmtime serioze trupore.
Komiteti Hetimor i Rusisë njoftoi se ka hapur menjëherë një çështje penale për vrasje dhe se po hetohen disa pista. Një nga skenarët kryesorë të ngritur nga autoritetet ruse është përfshirja e shërbimeve të inteligjencës ukrainase, megjithëse deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Ukraina.
Sarvarov ishte një figurë e njohur e hierarkisë ushtarake ruse dhe vetëm një vit më parë ishte promovuar personalisht nga presidenti Vladimir Putin. Ai konsiderohej i afërt me shefin e Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, dhe kishte marrë pjesë në operacione ushtarake në Siri dhe Çeçeni.
Sipas mediave ruse, shpërthimi dëmtoi edhe të paktën shtatë automjete të tjera të parkuara pranë vendit të ngjarjes. Banorë të zonës kanë deklaruar se fillimisht menduan se bëhej fjalë për rrëzimin e një droni, për shkak të fuqisë së shpërthimit.
Ngjarja vjen në një kontekst të tensionuar sigurie, pasi vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti janë shënuar disa atentate të ngjashme ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë. Analistët e shohin këtë sulm si një goditje serioze ndaj aparatit të sigurisë ruse dhe një sinjal alarmi për mbrojtjen e figurave kyçe të ushtrisë.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet ruse të dalin me detaje të reja mbi autorët dhe motivet e atentatit që tronditi kryeqytetin rus.
