
Pas rrëzimit të Maduros, Ottawa përballet me frikëra për sovranitetin dhe goditje ekonomike nga SHBA
Rrëzimi nga pushteti i presidentit venezuelian Nicolás Maduro, i përshëndetur zyrtarisht nga klasa politike kanadeze, po shihet gjithnjë e më shumë si një sinjal alarmi për vetë Kanadanë. Sipas mediave ndërkombëtare, në Ottawa po rritet shqetësimi se ajo që ndodhi në Venezuelë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për interesat ekonomike dhe sovranitetin kombëtar kanadez përballë presionit amerikan.
Më 4 janar, anëtarë të diasporës venezueliane dhe aktivistë kanadezë dolën në rrugë në disa qytete, përfshirë Montrealin dhe Halifaxin, duke shfaqur reagime të ndara. Disa e konsideruan largimin e Madurros si të domosdoshëm, ndërsa të tjerë e cilësuan ndërhyrjen amerikane si shprehje të qartë të imperializmit të Uashingtonit.
Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi se qeveria e tij e mirëpret mundësinë që populli venezuelian të arrijë liri, demokraci dhe stabilitet, duke theksuar se të gjitha palët duhet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Në krahun tjetër, lideri konservator Pierre Poilievre përgëzoi hapur presidentin amerikan Donald Tramp për arrestimin e Madurros, duke deklaruar se ai duhet të përfundojë në burg.
Megjithatë, pas deklaratave zyrtare, shqetësimi real në Kanada po rritet në dy fronte kryesore. I pari lidhet me sektorin energjetik. Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë dhe për shkak të sanksioneve amerikane, Kanadaja ka përfituar vitet e fundit duke rritur rolin e saj si furnizues alternativ. Rikthimi i Venezuelës në tregjet ndërkombëtare, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të SHBA-së, mund të godasë rëndë interesat kanadeze në këtë sektor strategjik.
Fronti i dytë është edhe më i ndjeshëm: sovraniteti kombëtar. Analistët paralajmërojnë se ndërhyrja amerikane në Venezuelë shihet si një precedent i rrezikshëm, që tregon se administrata e Trumpit është e gatshme të veprojë në mënyrë të njëanshme, edhe ndaj vendeve aleate, nëse interesat strategjike të SHBA-së e kërkojnë.
Sipas shtypit kanadez, Ottawa rrezikon të mbetet në plan të dytë në një rend të ri gjeopolitik, ku fuqia dhe presioni ekonomik po zëvendësojnë diplomacinë tradicionale. Për këtë arsye, zërat kritikë kërkojnë që Kanadaja të reagojë shpejt, të forcojë pavarësinë e saj strategjike dhe të rishikojë marrëdhëniet me Uashingtonin, përpara se skenari venezuelian të shndërrohet në një paralajmërim të vonuar.
