
Gjergji Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak në Vlorë Partia Demokratike, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij të pavarur për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen më 9 nëntor 2025.
Në një deklaratë, Nika tha se Vlora ka nevojë për një përfaqësim të denjë dhe të sinqertë, duke theksuar se ka vendosur të kandidojë si i pavarur për të përfaqësuar interesat e qytetarëve përtej partive politike.
Edhe pse vjen nga PD, Nika nuk ka mbështetjen zyrtare të demokratëve, të cilët në këtë garë mbështesin një tjetër kandidat të pavarur, Dionis Sota.
Si anëtar aktual i Këshillit Bashkiak, Nika nuk ka pasur detyrimin ligjor për të dorëzuar formularët për regjistrimin e Komitetit Nismëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi ligji i njeh automatikisht të drejtën për të kandiduar pa kaluar nëpër hapat burokratikë që kërkohen për kandidatët e tjerë të pavarur.