
Raketat ajër-ajër të zhvilluara në vitet 1950, të përshtatura edhe për përdorim tokë-ajër, pritet të hyjnë në shërbim të Ukrainës duke rritur kapacitetet kundër sulmeve ajrore
Gjermania ka konfirmuar se në vitin 2026 do t’i dorëzojë Ukrainës raketa AIM-9 Sidewinder, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme ushtarake ndaj Kievit. Lajmi u bë i ditur nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një takimi të Grupit të Kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, ku u theksua se qëllimi kryesor është forcimi i mbrojtjes ajrore ukrainase.
Sipas autoriteteve gjermane, paralelisht me dorëzimin e raketave, do të forcohet edhe bashkëpunimi industrial mes dy vendeve, përfshirë prodhimin e përbashkët të dronëve, në përputhje me marrëveshjet e fundit mes Berlinit dhe Kievit. Gjermania ka furnizuar tashmë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe IRIS-T.
AIM-9 Sidewinder konsiderohet një nga raketat ajër-ajër më të njohura dhe më të përdorura në botë. E zhvilluar fillimisht në vitet 1950 në Shtetet e Bashkuara, kjo raketë me rreze të shkurtër veprimi arrin shpejtësi rreth 3 700 km/h dhe ka një rreze veprimi deri në 20 kilometra. Ajo është projektuar për përdorim nga avionë luftarakë si F-16 apo Eurofighter, por disa versione janë përshtatur edhe për përdorim tokë-ajër.
Raketat që do të dërgohen nga Gjermania janë njësi më të vjetra, të nxjerra nga shërbimi aktiv, me një kosto relativisht të ulët krahasuar me sistemet moderne. Megjithatë, për Ukrainën ato përfaqësojnë një shtesë të rëndësishme në mbrojtjen kundër sulmeve ajrore ruse. Më herët, edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kanë furnizuar Ukrainën me raketa AIM-9, të përshtatura për nevojat emergjente të mbrojtjes ajrore.
Dorëzimi i Sidewinder-ve vjen në një kohë kur Ukraina po përballet me intensifikim të sulmeve ajrore dhe me shfaqjen e armëve të reja ruse, duke e bërë forcimin e mbrojtjes ajrore një prioritet strategjik për Kievin dhe aleatët e tij.
