
Parlamenti gjerman i jep dritën jeshile një pakete historike investimesh në mbrojtje, mes luftës në Ukrainë dhe pasigurive mbi angazhimin amerikan në Evropë
Deputetët gjermanë kanë miratuar një paketë prej rreth 50 miliardë eurosh për blerje të reja ushtarake, duke shënuar një tjetër hap të madh në përshpejtimin e shpenzimeve të mbrojtjes përballë kërcënimit në rritje nga Rusia dhe pasigurisë së re gjeopolitike në Evropë. Vendimi u mor nga komisioni i buxhetit i Bundestagut dhe përfshin një listë të gjerë pajisjesh dhe sistemesh ushtarake.
Sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, blerjet e miratuara përfshijnë raketa, artileri, torpedo, automjete të blinduara, sisteme satelitore, armë për avionë, sisteme zbulimi ajror pa pilot, si edhe uniforma dhe pajisje luftarake për qindra mijëra ushtarë. Në total, këtë vit janë miratuar projekte të mbrojtjes me vlerë afro 83 miliardë euro, një shifër e cilësuar si historike nga autoritetet.
Qeveria gjermane thekson se ky vendim dërgon një sinjal të qartë për NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë, duke nënvizuar rolin udhëheqës të Berlinit në sigurinë europiane. Ministria e Mbrojtjes deklaroi se Gjermania po përmbush detyrimet e saj ndaj aleancës dhe po merr përgjegjësinë për paqen dhe sigurinë në kontinent.
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Gjermania hoqi dorë nga tradita e saj e gjatë paqësore e pas Luftës së Dytë Botërore dhe nisi një proces të thellë ristrukturimi të forcave të armatosura, të cilat për dekada kishin qenë të nënfinancuara. Ky kurs është përforcuar edhe më shumë nga sinjalet e dobësimit të angazhimit amerikan për sigurinë e Evropës, pas rikthimit të Donald Tramp në Shtëpinë e Bardhë.
Kancelari Friedrich Merz, i cili mori detyrën në maj, i ka dhënë hov të ri këtij orientimi, duke përjashtuar shpenzimet e mbrojtjes nga rregullat e rrepta të borxhit publik, për të liruar fonde shtesë. Qeveria synon të rrisë shpenzimet bazë të mbrojtjes në 3.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2029, në përputhje me objektivat e reja të NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, theksoi se investimet masive janë të domosdoshme për vitet në vijim dhe se ushtria duhet të jetë e pajisur siç duhet për çdo mision. Ai garantoi se fondet do të menaxhohen me kujdes dhe përgjegjësi, duke theksuar se Gjermania synon të shpenzojë mbi 500 miliardë euro për mbrojtjen deri në vitin 2029.
Paralelisht, autoritetet gjermane po kërkojnë të zgjerojnë numrin e trupave, pasi ushtria u tkurr ndjeshëm pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Edhe pse shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk është rikthyer, ligjvënësit kanë paralajmëruar se kjo mund të ndodhë nëse rekrutimi vullnetar nuk jep rezultatet e nevojshme.
Vendimi i fundit konfirmon ndryshimin e thellë strategjik të Gjermanisë, e cila po pozicionohet gjithnjë e më qartë si një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes dhe sigurisë në Evropë./FRANCE 24
