
Modeli i ri përfshin regjistrim të detyrueshëm, vlerësime mjekësore dhe mundësinë e një thirrjeje emergjente në rast mungese të rekrutëve vullnetarë
Gjermania po ndërmerr hapa vendimtarë drejt rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në një kohë kur rreziku nga Rusia shihet në rritje dhe siguria europiane konsiderohet më e brishtë se kurrë. Sipas mediave gjermane, partitë kryesore politike kanë rënë dakord mbi një model të ri rekrutimi, i cili pritet të hyjë në fuqi në vitin 2026.
Sipas planit, të gjithë 18-vjeçarët meshkuj do të plotësojnë një pyetësor të detyrueshëm për të vlerësuar motivimin dhe gjendjen fizike për shërbimin ushtarak. Ndërkohë, vlerësimet mjekësore për të lindurit në vitin 2008 e më pas do të nisin që vitin e ardhshëm, duke u shtrirë gradualisht në gjithë grupmoshën.
Modeli nis me rekrutime vullnetare, por parashikon një draft emergjent nëse numri i vullnetarëve nuk mbulon nevojat e ushtrisë. Në këtë rast, Bundestagu mund të autorizojë thirrje të kufizuara përmes shortit, vetëm si masë të fundit.
Objektivi i Berlinit është të rrisë numrin e trupave aktive në rreth 260 mijë ushtarë, nga 183 mijë që janë aktualisht, si dhe të krijojë një rezervë prej 200 mijë personash, të cilët pritet të sigurohen kryesisht përmes sistemit të ri të rekrutimit.
Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm shënon një ndryshim të madh në politikën e mbrojtjes së Gjermanisë. Rusia, sipas vlerësimeve ushtarake, mund të jetë e aftë të sulmojë territorin e NATO brenda pesë deri në tetë vite, çka ka përshpejtuar reformat e Berlinit.
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermani u pezullua në vitin 2011, por mundësia ligjore për ta rikthyer ka qenë gjithmonë e pranishme. Hapat e parë drejt reformës u hodhën në vitin 2024, kur ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius prezantoi konceptin e tij për një shërbim të ri ushtarak.
Ndërkohë, marrëveshja politike e arritur së fundmi vjen pas muajsh negociatash mes SPD dhe CDU/CSU, me këtë të fundit që kërkonte garanci të forta për sigurimin e numrit të rekrutëve.
