

Ish-presidenti venezuelian shfaqet i qetë dhe ironik teksa transferohet në qelinë federale ku do të presë gjyqin në SHBA
Nicolás Maduro është filmuar duke bërë shenja paqeje dhe duke ngritur gishtin e madh, ndërsa mbërrinte në Metropolitan Detention Center në Brooklyn, një nga burgjet federale më famëkeqe të Nju Jorkut, ku do të mbahet në paraburgim deri në nisjen e procesit gjyqësor.
Pamjet e publikuara nga mediat amerikane tregojnë Maduron të veshur me bluzë sportive dhe me pranga në duar, i shoqëruar nga agjentë federalë, teksa duket i qetë dhe madje buzëqesh përballë kamerave dhe kalimtarëve. Sjellja e tij sfiduese ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale.
Maduro u dërgua në burgun federal të Brooklyn vetëm disa orë pasi u kap nga forcat speciale amerikane në Caracas, gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit. Para transferimit në qeli, ai u çua fillimisht në zyrat e Administratës Amerikane për Luftën Kundër Drogës në Manhattan, ku iu nënshtrua procedurave zyrtare, përfshirë identifikimin dhe marrjen e shenjave të gishtave.
Metropolitan Detention Center njihet për kushtet e vështira të paraburgimit dhe ka strehuar më herët emra të njohur ndërkombëtarë, mes tyre Ghislaine Maxwell dhe reperin amerikan Sean Combs. Raportimet mediatike amerikane e përshkruajnë këtë qendër si një institucion me probleme serioze infrastrukturore dhe kushte të ashpra për të paraburgosurit.
Maduro përballet me akuza të rënda për narko-terrorizëm dhe trafik droge, të ngritura nga administrata e Donald Tramp, akuza që ish-presidenti venezuelian i ka mohuar vazhdimisht. Seanca e tij e parë gjyqësore pritet të zhvillohet brenda 36 orëve të ardhshme.
Ndërkohë, arrestimi i tij ka shkaktuar reagime të kundërta. Në disa qytete jashtë Venezuelës janë shënuar festa nga emigrantë venezuelianë, ndërsa në Caracas atmosfera mbetet e tensionuar, me qytetarë që presin në radhë për furnizime, të shqetësuar për pasiguritë ekonomike dhe politike që mund të pasojnë.
