
Kampioni shtatë herë i Formula 1 surprizon stafin në Maranello me dhurata simbolike dhe një mesazh të shkruar me dorë
Lewis Hamilton ka treguar edhe një herë anën e tij njerëzore dhe elegante, duke u shndërruar në një “Babagjysh Krishtlindjesh” për më shumë se 1 mijë punonjës të Scuderia Ferrari. Piloti britanik vizitoi fabrikën në Maranello pak ditë para festave, ku shpërndau personalisht dhurata për çdo anëtar të stafit.
Secili punonjës mori një kuti tradicionale britanike nga Fortnum & Mason, e mbushur me çaj anglez për mëngjes, biskota me limon, biskota çaji dhe çokollata napolitane. Brenda dhuratës ishte edhe një kartolinë me një foto të firmosur nga Hamilton dhe një mesazh të thjeshtë, por të ngrohtë: Happy Holidays, From Lewis.
Gjesti u prit me shumë emocion nga punonjësit e Ferrarit, sidomos në një sezon që ka qenë i vështirë për pilotin britanik. Hamilton, i cili iu bashkua Ferrarit pas 12 vitesh te Mercedes, po kalon një periudhë tranzicioni të ndërlikuar me skuadrën italiane dhe e mbylli sezonin pa asnjë podium në garat kryesore, diçka që nuk i kishte ndodhur më parë në karrierë.
Pavarësisht vështirësive në pistë, kampioni shtatë herë i botës ka treguar se mbetet një lider brenda dhe jashtë garës, duke forcuar lidhjen me ekipin dhe duke dhënë një shembull të fortë respekti dhe mirënjohjeje ndaj njerëzve që punojnë çdo ditë pas skenës.
Në moshën 40-vjeçare dhe me kontratë aktive edhe për dy sezone të tjera, Lewis Hamilton duket i vendosur të mos dorëzohet, duke treguar se karakteri dhe klasi i tij nuk maten vetëm me rezultate, por edhe me gjeste që lënë gjurmë.
