
Pas më shumë se 50 vitesh, njerëzit do të udhëtojnë më larg në hapësirë se kurrë më parë, në një mision kyç drejt rikthimit në Hënë dhe rrugës për në Mars
NASA po përgatitet të dërgojë astronautë rreth Hënës dhe t’i rikthejë në Tokë për herë të parë pas më shumë se pesë dekadash. Misioni Artemis II, pjesë e programit ambicioz të eksplorimit hënor, synon të çojë ekuipazhin më larg se sa ka arritur ndonjëherë njeriu në hapësirë.
Misioni pritet të nisë jo më herët se 6 shkurt, megjithëse data e saktë e nisjes varet nga disa faktorë teknikë dhe kushtet e motit.
Programi Artemis është iniciativa e NASA për t’i rikthyer njerëzit në Hënë për herë të parë që nga viti 1972, kur përfundoi programi Apollo. Përmes këtij programi, NASA synon të ndërtojë edhe një stacion hapësinor në orbitën hënore, të quajtur Lunar Gateway, që do të shërbejë si bazë për misione më të thella, përfshirë udhëtimet drejt Marsit.
Artemis I u realizua në nëntor 2022, kur kapsula Orion, pa ekuipazh, rrethoi Hënën për të testuar sistemin e ri të nisjes. Artemis II është hapi i radhës dhe i pari me astronautë në bord.
Misioni do të realizohet me raketën Space Launch System, më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë nga NASA. Rreth 98 metra e lartë, ajo përbëhet nga një fazë qendrore me rezerva gjigante karburanti dhe dy përforcues anësorë që prodhojnë shumicën e fuqisë gjatë minutave të para të fluturimit. Pas arritjes së orbitës, përforcuesit shkëputen dhe kapsula Orion vazhdon udhëtimin drejt Hënës.
Kostoja e këtij programi është kolosale. Vetëm raketa SLS ka kushtuar rreth 23.8 miliardë dollarë që nga viti 2011, ndërsa kapsula Orion mbi 20 miliardë dollarë. Çmimi i një nisjeje të vetme vlerësohet rreth 4 miliardë dollarë.
Gjatë misionit 10-ditor, ekuipazhi i Artemis II do të testojë sistemet e mbështetjes së jetës, navigimit dhe komunikimit. Fillimisht, testet do të kryhen në orbitën e Tokës, për të garantuar sigurinë maksimale. Më pas, astronautët do të rrethojnë Hënën për katër ditë, duke udhëtuar rreth 7,400 kilometra përtej anës së saj të errët, përpara se të kthehen në Tokë dhe të ulen në Oqeanin Paqësor.
Suksesi i këtij misioni është vendimtar për Artemis III, që synon uljen e astronautëve në sipërfaqen e Hënës, aktualisht e planifikuar për vitin 2027.
Ekuipazhi i Artemis II përbëhet nga tre astronautë amerikanë dhe një astronaut kanadez. Para nisjes, ata kanë hyrë në karantinë, një procedurë standarde që synon shmangien e çdo rreziku shëndetësor përpara fluturimit.
Nisja mund të shtyhet nëse testet përfundimtare, të njohura si “wet dress rehearsal”, nxjerrin probleme teknike, ose nëse kushtet e motit nuk përmbushin kriteret strikte të sigurisë së NASA-s. Në rast shtyrjeje, misioni ka disa dritare alternative nisjeje deri në prill.
Artemis II përfaqëson një moment historik për eksplorimin hapësinor dhe një hap të madh drejt rikthimit të qëndrueshëm të njerëzimit në Hënë dhe përtej saj.
