
SPAK kërkoi dërgimin në gjyq të çështjes, ndërsa gjykata speciale pranoi akuzat për korrupsion aktiv dhe pasiv ndaj dy të pandehurve.
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për nisjen e gjykimit penal ndaj kryetares së Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, e cila akuzohet për korrupsion në lidhje me një tender për ndërtimin e një ure në fshatin Luzhë. Sipas dosjes, Islamaj dyshohet se ka favorizuar familjarë të saj në procedurat përzgjedhëse, duke abuzuar me detyrën si nënkryetare dhe më pas kryetare e komanduar e bashkisë.
Së bashku me Islamajn, në gjykim dërgohet edhe Rrok Gega, i akuzuar për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. SPAK e ka formalizuar kërkesën e dërgimit në gjyq më 29 shtator 2025, duke argumentuar se provat e mbledhura gjatë hetimeve justifikojnë çeljen e procesit penal.
Në seancën paraprake të 25 nëntorit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe të dërgojë çështjen për gjykim me një trup tjetër gjykues. Fashikulli hetimor përmban të gjitha aktet e hetimeve paraprake, me përjashtim të deklarimeve të personave të pyetur si dëshmitarë.
Vendimi i GJKKO është përfundimtar dhe nuk lejohet ankim, duke i hapur rrugë procesit gjyqësor ndaj dy zyrtarëve të akuzuar për korrupsion.
