Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimet e Shkallës së Parë, sa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal “ndalimi i daljes jashtë shtetit” ndaj Belinda Ballukut
Ndërkohë, Gjykata vendosi pezullimin e shqyrtimit gjyqësor të ankimit të Belinda Ballukut për pjesën që lidhet me masën ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale. Ky pezullim do të zgjasë deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, ku është regjistruar për shqyrtim kërkesa e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë.
Kërkesa në Kushtetuese ka si objekt zgjidhjen e konfliktit të kompetencës mes Kryeministrit, Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, shfuqizimin e vendimit që pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës. Për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese ka vendosur më 12.12.2025 pezullimin e zbatimit të masës së pezullimit nga detyra ndaj Ballukut.
Sa i përket ankuesve të tjerë, Apeli miratoi vendimet e GJKKO-së së Shkallës së Parë për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” ndaj Elton Elmazit, sipas nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale.
Po ashtu, u la në fuqi vendimi për vazhdimin e masës “arrest në shtëpi” edhe për Gentian Gjylin, masë e vendosur fillimisht me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025 dhe e konfirmuar me vendimin nr. 120, datë 22.11.2025.
Vendimi i Apelit konsolidon masat shtrënguese për të tre personat, ndërsa për rastin e Belinda Ballukut e zhvendos përkohësisht debatin juridik mbi pezullimin nga detyra në Gjykatën Kushtetuese.
