Pas muajsh hetimesh dhe seancash të shtyra, ish-kryebashkiaku i Tiranës përballet sot me momentin vendimtar që do të përcaktojë nëse dosja ndaj tij dhe bashkëshortes Ajola Xoxa do të kalojë në gjykim të plotë
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvillohet sot seanca paraprake për ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit. Në këtë seancë, trupi gjykues do të shqyrtojë akuzat e ngritura nga SPAK dhe do të vendosë nëse dosja e ish-kreut të Bashkisë së Tiranës dhe personave të tjerë të përfshirë do të kalojë për gjykim.
Seanca pritej të zhvillohej më herët, por u shty për shkak të bojkotit të avokatëve, pas tensioneve të ndodhura në një proces tjetër gjyqësor në Elbasan. Sot, gjykata pritet të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e prokurorisë për dërgimin e çështjes në gjykim ose do të rikthejë dosjen për plotësime hetimore.
Kujtohet se më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, ndërsa në qendër të hetimit ndodhet një skemë që, sipas SPAK, përfshinte përdorimin e kompanive dhe organizatave jofitimprurëse për përfitime të paligjshme.
Sipas hetimeve paraprake, Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dyshohet se kanë përfituar mbi 1 milion euro përmes kësaj skeme, të cilat janë përdorur për blerje dhe shpenzime luksoze.
Vendimi i sotëm i GJKKO pritet të jetë përcaktues për vijimin e procesit, i cili ka ngjallur interes të madh publik dhe politik në vend.
