
Gjykata e Posaçme vlerëson të ligjshëm sekuestrimin e pajisjeve gjatë kontrollit në banesë
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e zyrtares së lartë të Policisë së Shtetit, Ervina Gjana, për kthimin e telefonave celularë të sekuestruar në kuadër të hetimeve që po zhvillon SPAK për çështjen e AKSHI-t.
Sipas vendimit të gjykatës, sekuestrimi i pajisjeve elektronike është kryer në përputhje me ligjin dhe konsiderohet i nevojshëm për ecurinë e hetimeve penale. Celularët janë marrë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Gjanës dhe të bashkëjetuesit të saj, Renato Hristic.
Gjykata ka vlerësuar se pajisjet mund të përmbajnë të dhëna të rëndësishme që lidhen me objektin e hetimit dhe, për këtë arsye, nuk ka pranuar kërkesën për kthimin e tyre në këtë fazë procedurale.
Renato Hristic rezulton të ketë qenë shoqërues i Ergys Agasit, ndërsa Ervina Gjana mban funksionin e drejtoreshës së krimit kibernetik në Policinë e Shtetit. Hetimet e SPAK lidhen me dyshime për veprime të kundërligjshme në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Burime pranë procesit bëjnë me dije se hetimet vijojnë dhe se analizimi i të dhënave digjitale të sekuestruara konsiderohet kyç për zbardhjen e plotë të kësaj dosjeje.
