Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për konfiskimin e pasurive të Elvin Merlikës dhe tetë personave të lidhur me të.
Në vendimin e saj, gjykata ka konsideruar se kërkesa e SPAK-ut ishte e pabazuar në ligj dhe në prova, duke urdhëruar gjithashtu revokimin e sekuestros së vendosur më parë në kuadër të procedimit pasuror Nr. 2 të vitit 2022 dhe kthimin e pasurive tek pronarët e tyre.
SPAK kishte kërkuar konfiskimin e 20 pronave, përfshirë një hotel, apartamente dhe makina luksoze, me arsyetimin se ato ishin të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe mund të konsideroheshin rezultat i veprimtarisë kriminale.
Lista përfshinte:
100% të kuotave të shoqërisë “Zeus Garden” sh.p.k.
49% të kuotave të shoqërisë “M.S.G Security” sh.p.k.
100% të kuotave të shoqërisë “London Eye” sh.p.k.
Pasuri të paluajtshme, duke përfshirë arë, apartamente, truall dhe pyje në zona të ndryshme të Tiranës dhe Kurbin.
9 automjete luksoze të markave të ndryshme.
Gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e vendimit dhe ka sqaruar se kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vendimi i sotëm pason kërkesën e SPAK-ut në janar të këtij viti dhe konfirmon se gjykata nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të lidhur pasuritë e Merlikës dhe personave të lidhur me të me veprimtari kriminale.
