
Ish-presidenti kërkon lirimin nga arresti në burg, mbrojtja flet për shkelje kushtetuese
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po shqyrton sot kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë arrest në burg.
Para nisjes së seancës, avokati mbrojtës Kujtim Cakrani u prononcua për mediat, duke deklaruar se pret lirimin e Metës nga qelia. Në deklaratën e tij, ai përdori edhe tone ironike ndaj kryeministrit Edi Rama, pa ndikuar në përmbajtjen proceduriale të kërkesës në gjykatë.
Ndërkohë, në ambientet e SPAK u paraqit edhe ish-deputetja Monika Kryemadhi, në zbatim të masës së sigurisë detyrim paraqitje.
Kërkesa e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë është rrëzuar më herët nga të tre shkallët e gjyqësorit, të cilat kanë lënë në fuqi arrestin me burg. Paralelisht, Meta i është drejtuar edhe Gjykata Kushtetueses, duke pretenduar se vendimet e deritanishme janë antikushtetuese dhe në shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ai këmbëngul se po mbahet në paraburgim pa akuzë të formalizuar.
Ilir Meta po hetohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, në bashkëpunim, në një çështje ku të përfshirë janë edhe Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë.
