
Kryebashkiaku i Tiranës humb betejën në Apel, ndërsa trupi gjykues konfirmon vlefshmërinë e hetimeve të SPAK për dosjen e vitit 2024.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar sot ankimimin e paraqitur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të Shkallës së Parë që e mban atë në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Veliaj kishte kërkuar pavlefshmërinë e disa veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), me pretendimin se gjatë procedurës ishin shkelur të drejtat e tij ligjore dhe parimet e procesit të rregullt gjyqësor. Megjithatë, Apeli nuk i pranoi argumentet e mbrojtjes, duke arsyetuar se hetimet janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe nuk ekziston asnjë element procedural që të cënojë vlefshmërinë e tyre.
Vendimi, i dhënë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, mban datën 20 tetor 2025 dhe vulos përkohësisht fatin e kreut të Bashkisë së Tiranës, i cili mbetet pas hekurave në pritje të përfundimit të hetimeve për dosjen e njohur të vitit 2024.
Pritet që avokatët e Veliajt të paraqesin rekurs në Gjykatën e Lartë, ndërsa burime nga SPAK konfirmojnë se hetimet ndaj kryebashkiakut po vazhdojnë në disa pista që lidhen me abuzime në tendera dhe kontrata publike gjatë ushtrimit të detyrës.