
Të ndaluarit nga operacioni policor do të hetohen në gjendje të lirë me masën detyrim paraqitje, ndërsa hetimet për ndotjen mjedisore vijojnë
Gjykata e Elbasanit ka vendosur lirimin e 16 personave të arrestuar në kuadër të operacionit Metalurgjiku, duke e cilësuar të paligjshëm arrestimin e tyre. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pas rreth shtatë orësh shqyrtim, trupa gjykuese vendosi caktimin e masës së sigurisë detyrim paraqitje për të gjithë të ndaluarit.
Operacioni kishte çuar në arrestimin e nëntë shtetasve të huaj, përkatësisht Junceol Chung Biz, Rashul Pal, Stjuent Pal, Prakash Kadel, Muna Sung, Rajesh Kumarjadavm, Autia Rai, Rahul Pal dhe Dheraj Kumar, si edhe shtatë shtetasve shqiptarë Jakup Karaj, Ismail Dybeli, Dorian Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdia, Elton Beqi dhe Elis Flaga.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim disa persona të tjerë, mes tyre Bujar Zogu, Dritan Konica, Fejzo Meçaj, Ilir Londo, Gjergj Bezati, Agron Shpallo dhe Serafin Orgoça.
Nën hetim vijojnë edhe subjektet tregtare CCALB sh.p.k dhe GSA Ferrokrom sh.p.k, të cilat dyshohen se kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm në zonën e ish-Metalurgjikut në Elbasan, në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit.
Sipas materialeve hetimore dhe inspektimeve të kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, dyshohet se këto subjekte kanë shkelur rëndë legjislacionin mjedisor, kanë ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, nuk kanë respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe kanë kryer përpunim të paligjshëm të mbetjeve të baterive, një aktivitet me rrezik të lartë për shëndetin publik dhe mjedisin.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë përgjegjësitë penale dhe administrative të subjekteve dhe personave të përfshirë.
