
7 anëtarët e grupit kriminal dënohen përfundimisht për supergrabitjen e vitit 2019, ku u rrëmbyen 4.6 milionë euro nën kërcënimin e armëve në pistën e aeroportit
Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin final për njërën prej grabitjeve më të bujshme në historinë e Shqipërisë; atë të 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, më 9 prill 2019. Rekursi i paraqitur nga të pandehurit u rrëzua, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO dhe Apelit të Posaçëm.
Në total, 7 anëtarët e grupit: Klement Çala, Eldi Çala, Oltjon Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkond Bengasi, do të vuajnë 122 vite burg. Konkretisht, Klement Çala u dënua me 20 vite heqje lirie, ndërsa pjesa tjetër e grupit me nga 17 vite secili. Talo Çela, i shpallur në kërkim, është dënuar në mungesë me 19 vite.
Ngjarja ndodhi në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, ku të armatosur dhe të maskuar, grabitësit arritën të merrnin një shumë të madhe parash që po transportohej drejt Vjenës. Operacioni përfundoi tragjikisht për njërin prej organizatorëve kryesorë, Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë gjatë përplasjes me policinë.
Vendimi i Gjykatës së Lartë i jep fund një prej proceseve më të gjatë e më të diskutuar në sistemin e drejtësisë shqiptare, duke e vulosur fatin e bandës së Rinasit.