
Apeli i Posaçëm konfirmon vendimin e shkallës së parë, duke lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj ish-presidentit
Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke miratuar pa ndryshime vendimin e dhënë më herët nga shkalla e parë.
Vendimi u shpall këtë të enjte nga gjyqtarja Saida Dollani, e cila shqyrtoi ankimin e paraqitur nga avokatët e Metës kundër vendimit nr. 672, datë 22 tetor 2025, me të cilin ish-kreu i shtetit kërkonte heqjen e masës së sigurisë.
Në njoftimin zyrtar të Gjykatës thuhet se kërkesa e Metës u vlerësua “e pabazuar”, ndërsa u vendos miratimi i plotë i vendimit të mëparshëm të shkallës së parë për vazhdimin e arrestit në burg.
Seanca e mëparshme ishte shtyrë pas kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin e gjyqtares Dollani, një kërkesë që nuk u pranua.
Me këtë vendim, masa e sigurisë ndaj Metës mbetet në fuqi, ndërsa çështja vijon të trajtohet nga Prokuroria e Posaçme brenda hetimit për korrupsion dhe krim të organizuar.
