Katër të rinjtë që ndodheshin në lokalin ku ndodhi ngjarja e rëndë në Manëz, ku mbetën të vrarë dy persona pas një konflikti të nisur për një kafe, dolën këtë të shtunë para Gjykatës së Durrësit.Trupa gjykuese vendosi për të katër të arrestuarit – Erald Cani (25 vjeç), Ergi Kadiu (21 vjeç) dhe vëllezërit Taulant dhe Emirian Beqaj – masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit”.Të rinjtë, të gjithë banues në Manëz, akuzohen për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”, pasi ndodheshin në vendin e ngjarjes, por nuk njoftuan autoritetet për përplasjen që përfundoi tragjikisht.Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë, kur pas një debati të çastit në një lokal, u qëlluan për vdekje Flori Paluçi, 33 vjeç, dhe Aranit Kurti, 23 vjeç. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se Paluçi qëlloi i pari drejt Kurtit, ndërsa më pas u vra nga Daniel Pepa, i cili është në kërkim dhe dyshohet si autori i vrasjes së Paluçit.Policia dhe prokuroria e Durrësit po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes që ka tronditur komunitetin e Manzës.
