Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në detyrë Belinda Ballukun, duke pezulluar zbatimin e masës së pezullimit të vendosur nga GJKKO dhe pranimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama.
Balluku rikthehet në detyrë si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:
Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.
Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.
