
Gjyqtarja Fiona Papajorgji është kandidatura e vetme që hyn në votim për drejtimin e institucionit
Gjykata Kushtetuese pritet të zgjedhë sot kryetarin e ri të saj për një mandat trevjeçar. Në garë për këtë post është vetëm një emër, ai i gjyqtares Fiona Papajorgji, e cila është paraqitur si kandidatura e vetme për drejtimin e institucionit më të lartë kushtetues në vend.
Procesi parashikon që fillimisht Papajorgji të prezantojë platformën e saj për drejtimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa më pas emri i saj do t’i nënshtrohet votimit nga trupa gjyqësore. Për t’u shpallur fituese, ajo duhet të sigurojë të paktën 5 vota nga 8 gjyqtarët që përbëjnë aktualisht Gjykatën Kushtetuese.
Vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri vjen pas krijimit të vakancës në këtë post, pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçajt në muajin mars të këtij viti. Zaçaj kishte ushtruar detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese paralelisht me mandatin e saj si gjyqtare.
Zgjedhja e kryetarit konsiderohet një proces i rëndësishëm për funksionimin e institucionit, pasi drejtuesi i Gjykatës Kushtetuese luan rol kyç në organizimin e punës dhe përfaqësimin e saj institucional.
