Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën “arrest me burg’ për 4 të arrestuarit lidhur me vrasjen e Hysni Ymerit.
Gerti Bushati ka pranuar se është personi që ka vendosur sasinë e eksplozivit me datë 27 dhjetor në panelin e matësve elektrik e cila shpërtheu dy ditë më pas duke i marrë jetën 67-vjeçarit.
Në deklaratën e tij në polici, Bushati ka thënë se tre të arrestuarit e tjerë Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi janë personat që e kanë kontaktuar për të vendosur sasinë e tritolit.
Ata nuk e kanë pranuar në polici ngjarjen ndërsa në gjykatë nuk kanë folur duke u përfaqësuar nga avokatët. Ata janë shprehur se nuk kanë asnjë lidhje me tritolin dhe kanë mohuar se mund të jenë ata porositësit e Gert Bushatit.
Pavarësisht kësaj policia ka sekuestruar telefona dhe ka përgjime si dhe një sërë provash të tjera që mund të implikojnë edhe këta tre persona. Bushati ka deklaruar se nuk ka patur dijeni se sasinë e eksplozivit do ta vendoste për të vrarë ndonjë person.
Ai është shprehur se i është thënë nga porositësit se do të jetë vetëm për të trembur dikë dhe jo për të vrarë.
“Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam patur dijeni për vrasje vetëm për të trembur dikë. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kanë kontaktuar për këtë punë dhe e kam pranuar. Tritolin e kam vënë me datë 27 dhjetor por pa e ditur se bëhej fjalë për vrasje,” tha ai.
Bushati ka deklaruar gjjthashtu se nuk e ka idenë cila është arsyeja e vendosjes së tritolit dhe se roli i tij ka qenë vetëm për ta vendosur duke mos patur më shumë informacion rreth kësaj çështje.
Sipas burimeve hetimore disa kohë më përpara sasia e eksplozivit është vënë edhe një herë tjetër por herën e parë nuk ka shpërthyer. Në këto kushte Gert Bushati e ka vendosur herën e dytë me 27 dhjetor dhe pas dy ditësh eksplozivi shpërtheu duke vrarë Ymerin.
Ndaj 4 të arrestuarve të dyshuar, rëndojnë akuzat “vrasje me paramendime e kryer në bashkëpunim”, “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “mbajta pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe i municionit”. Gjithashtu ndaj tyre rëndojnë akuzat për “prodhim dhe shitje e narkotikëve në bashkëpunim” si dhe “prishje e qetësisë publike.
Policia dhe prokuroria janë duke hetuar këto dy pista por edhe çdo pistë tjetër të mundshme sepse është ende e paqartë nëse vrasja e Hysni Ymerit lidhet me dy ngjarjet e sipërmendura apo lidhet me ndonjë konflikt tjetër
