Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë po përballet me vështirësi jo vetëm për shkak të numrit të ulët të gjyqtarëve, por edhe për shkak të mjediseve ku magjistratët zhvillojnë seancat gjyqësore, si dhe nivelit të sigurisë.
Zv.kryetari i kësaj gjykate, Gerd Hoxha, theksoi se niveli i sigurisë lë shumë për të dëshiruar, duke shtuar se gjatë pushimeve javore dhe festave zyrtare, mjediset e gjykatave nuk monitorohen fare nga institucionet ligjzbatuese.
“Duam që në çdo kat të ketë një punonjës policie, këtu dhe në gjykatën civile, ose të vijmë në krijimin e një trupe që duhet të jetë nën kompetencat e gjykatës dhe që do të merret me sigurinë. Sa i përket godinave, nevoja është ulëritëse. Pasdite, nga ora 4 deri në mëngjes, këtë godinë e ruan Zoti. Nga e premtja deri të hënën nuk kemi asnjë punonjës policie”, tha Hoxha.
Sa i përket volumit të çështjeve, si penale ashtu edhe civile, Hoxha deklaroi se një gjyqtari i duhet të shqyrtojë mesatarisht rreth 1 mijë dosje në vit.
“Organika është 78 gjyqtarë, aktualisht jemi 55 gjyqtarë. Ne gjykojmë 8 deri në 10 çështje në ditë. Nëse gjykata jonë plotësohet me gjyqtarë brenda vitit 2027, zhbllokimi do të shuhet fare”, theksoi Hoxha.
Në vitin 2025, nga kjo gjykatë u shpallën më shumë se 35 mijë vendime, ndërsa numri i çështjeve të mbartura nga viti 2024 ishte mbi 18 mijë.
Gjatë vitit të kaluar, në këtë gjykatë u regjistruan mbi 34 mijë çështje gjyqësore, ndërsa aktualisht janë në gjykim mbi 17 mijë çështje.
