
Seanca e Dhomave të Specializuara vijon me dëshmi të reja, mbrojtja synon të mbyllë paraqitjen e dëshmitarëve deri më 14 nëntor
Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, si dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, njoftoi se kanë marrë autorizimin për dëshmitarët 1DW008 dhe 1DW010, të cilët pritet të paraqiten në sallën e gjyqit gjatë kësaj jave.
Mishetiq shtoi se është në pritje edhe i autorizimit për një dëshmitar tjetër, të identifikuar si 1DW007, ndërsa theksoi se mbrojtja është duke punuar që të përfundojë dëshmitë brenda afatit të parashikuar nga trupi gjykues.
Nga ana tjetër, avokati i Veselit, Rodney Dixon, tha se strategjia e tyre mbetet e pandryshuar për dëshmitarët e planifikuar, por nuk përjashtoi rishikime në rast se dalin emra të rinj. Ndërkohë, mbrojtja e Jakup Krasniqit njoftoi se është duke bërë rivlerësime për dëshmitarët e vet.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, u bëri thirrje palëve që të jenë më efikase, në mënyrë që faza e mbrojtjes të përfundojë deri më 14 nëntor, siç është planifikuar.
Pas këtyre diskutimeve, në sallë vazhdoi dëshmia e James Peter Covey, i cili dje nisi dëshminë dhe sot iu nënshtrua pyetjeve nga prokurorja Vega Iodice.