Franc Gergely Çopja bashkë me tetë të tjerë kanë dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit, ku do të gjykohen për vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u qëllua për vdekje në mes të ditës në Sint-Jans-Molenbeek.
“Jam shqiptar dhe agjent imobiliar”, u shpreh Çopja.
Detaje të REJA nga aksioni i SPAK për DOSJEN Balluku/ Kontrolle në disa biznese Tiranë, Fier dhe stafi i zv.kryeministres!
Media belge “Le Soir” shkruan: Një heshtje mbizotëron në sallë. Emri “Çopja” njihet shumë përtej këtyre mureve. Ai i përket një klani të drejtuar nga dy vëllezër, i cili vetëm në vitin 2020 ka importuar më shumë se 28 ton kokainë në Europë nga Amerika Latine.
Sot, Franc Gergely po gjykohet si porositësi kryesor i vrasjes së Ardit Spahiut, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Mikael Qosja, është ende në arrati. Në kohën e ngjarjeve, të dy jetonin në Dubai, duke përdorur identitete të shumta për të menaxhuar aktivitetet e tyre larg vëmendjes së autoriteteve. Klani i tyre kishte investuar masivisht në pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe Elbasan, duke blerë apartamente, ndërtesa, bare e restorante, me synimin për të pastruar paratë dhe për t’u paraqitur si investitorë të domosdoshëm për zhvillimin rajonal.
Presidentja e Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit, Isabelle De Saedeleer, ka vendosur: as ndarje e çështjes, as shtyrje e procesit.
Gjyqi do të zhvillohet sipas planit. Janë nëntë persona që gjykohen për një nga narko-vrasjet e para në Belgjikë me përmasa ndërkombëtare, por vetëm pesë prej tyre janë fizikisht të pranishëm në bankën e të akuzuarve, në sallën e madhe të drejtësisë “Justitia” në Bruksel.
Endrit Sadedini mungon. “Klienti im është plotësisht i pamundur të jetë i pranishëm në Bruksel, pasi ndodhet i paraburgosur në Shqipëri që nga 19 shkurti”, deklaroi avokati Michel Bouchat para gjykatës. Ai kërkoi që dosja e klientit të ndahej nga të tjerat dhe të shqyrtohej më vonë, duke përmendur forcë madhore. Disa avokatë të tjerë kërkuan gjithashtu shtyrjen e procesit, duke argumentuar se prania e tij është thelbësore për garantimin e të drejtave të mbrojtjes. Pas disa orësh diskutimi, presidentja e gjykatës njoftoi se kërkesa për ndarje u refuzua, ashtu si edhe ajo për shtyrjen e procesit. Gjyqi do të vazhdojë sipas planit.
Endrit Sadedini u dënua më 2 dhjetor nga një gjykatë e shkallës së parë në Shqipëri me tre vjet e katër muaj burg për mbajtje arme zjarri.
Në Belgjikë, prokuroria federale e dyshon atë si njërin nga tre ekzekutorët e kësaj vrasjeje që ka tërhequr vëmendje të madhe.
Spahiu u qëllua me armë zjarri në një atentat më 27 nëntor 2020, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet. Ai arriti të largohej fillimisht, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan. Hetimi për vrasjen e Spahiut mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC. Në fund u identifikuan nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja.
Sipas policisë federale, ai dhe vëllezërit e tij vepronin nga Dubai dhe merreshin me trafik kokaine mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.
Ardit Spahiu nuk ishte i panjohur për botën e krimit. Ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe në vitin 2010 u arrestua nën dyshimin për përfshirje në një vrasje në qytetin e tij të lindjes, Elbasan. Spahiu i përkiste klanit Alibej, i cili prej vitesh ishte në konflikt me klanin rival Çopja.
Pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër, dhuna mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua.
Dosja është e mbushur me vrasje me pagesë të kryera nga të dyja palët. Vrasja e Ardit Spahiut, i cili në vitin 2019 u arratis në Belgjikë nga frika për jetën e tij, konsiderohet si një vazhdim i konfliktit mes këtyre dy klaneve.
Franc Çopja është krimineli i parë i drogës që është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë. Ai ndodhet në paraburgim në Belgjikë që nga fundi i vitit 2023 dhe dyshohet se ka dhënë urdhrin për vrasjen e Ardit Spahiut.
Juria e procesit u përzgjodh të hënën. Sot procesi nisi zyrtarisht me leximin e aktakuzës, e cila përbëhet nga plot 204 faqe.
