
Pas rrëzimit të kërkesës së Fatmir Mediut për përjashtimin e saj, gjyqtarja e GJKKO ka dorëzuar vetë kërkesën për t’u larguar nga procesi, duke argumentuar se ka qenë e përfshirë në fazën paraprake të çështjes.
Një zhvillim i ri ka ndodhur në procesin gjyqësor për dosjen “Gërdeci”, ku është përfshirë ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka, ka kërkuar zyrtarisht të largohet nga trupa gjykuese, duke deklaruar se ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë ligjore.
Sipas burimeve nga Gjykata e Posaçme, Gjoka i është drejtuar më 11 nëntor nënkryetarit të GJKKO, Erion Bani, me një kërkesë ku shpjegon se nuk mund të vijojë më gjykimin e çështjes. Ajo argumenton se ka qenë gjyqtare e seancës paraprake në këtë dosje, në një moment kur i pandehuri kishte kërkuar zhvillimin e procesit me procedurë të shkurtuar. Pas ndryshimit të qëndrimit nga vetë Mediu dhe kalimit të procesit në gjykim të zakonshëm, Gjoka thotë se është vënë në kushtet e papajtueshmërisë për të vijuar më tej.
Burime pranë seancës bëjnë me dije se kërkesa e saj për largim është ndikuar edhe nga pretendimet e mëparshme të mbrojtjes së Fatmir Mediut, e cila kishte kërkuar përjashtimin e saj nga procesi kërkesë që u rrëzua më parë nga gjyqtarja Etleva Deda.
Tashmë, vendimi përfundimtar për kërkesën e Gjokës do të merret nga nënkryetari i GJKKO, Erion Bani. Në ndërkohë, seancat për çështjen “Gërdeci” kanë vijuar me debatet e mbrojtjes së Mediut mbi raportet e ekspertëve të paraqitura nga SPAK. Procesi gjyqësor ndodhet në fazën ku kanë përfunduar provat e prokurorisë dhe pritet të nisë dëgjimi i dëshmitarëve të kërkuar nga pala mbrojtëse.
Çështja “Gërdeci” mbetet një nga dosjet më të ndjeshme të drejtësisë shqiptare, ndërsa vendimi për qëndrimin ose jo të gjyqtares Gjoka pritet të ndikojë në ecurinë e mëtejshme të procesit.
