Policia ka goditur dy ‘Exchange’ që jepnin para me fajde në Tiranë e Gjirokastër. Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasi R. K., 56 vjeç, vëllai i tij, shtetasi L. K., 59 vjeç, si dhe djali i 59-vjeçarit, shtetasi P. K., 28 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i 56-vjeçarit, shtetasi B. K., 27 vjeç, të katërt banues në fshatin Kordhocë, Lazarat.
Nga 2 subjektet dhe nga banesat e këtyre shtetasve, u sekuestruan: 26 963 200 lekë, 132 760 euro, 42 596 dollarë amerikanë, 8 780 paunde, 10 380 franga, 3145 dollarë kanadezë, 85 720 lira turke, 18 blloqe me shënime, 6 kompjuterë, 6 celularë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.
Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
