
Operacioni antidrogë Terreni i Forcës Shqiponja çon në sekuestrimin e lëndës narkotike, dy automjeteve dhe pesë celularëve
Forcat e Posaçme Shqiponja, në bashkëpunim me strukturat për hetimin e narkotikëve të Policia e Shtetit, kanë goditur brenda 24 orëve dy raste të posedimit të lëndës narkotike kanabis me qëllim shitjen, duke arrestuar në flagrancë dy persona.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti i parë është konstatuar në fshatin Manati, ku është arrestuar shtetasi P. D., 22 vjeç, banues në Lezhë. I riu u kap duke lëvizur me automjet dhe duke mbajtur me vete doza kanabisi të përgatitura për shitje.
Rasti i dytë u regjistrua në zonën e kalasë së Lezhës, ku u vu në pranga shtetasi K. M., 27 vjeç, banues në Kurbin. Gjatë kontrollit, atij iu gjet një sasi lënde narkotike, e dyshuar e destinuar për shitje në doza.
Në kuadër të operacionit të koduar Terreni, policia sekuestroi lëndën narkotike, dy automjete dhe pesë telefona celularë, të cilat dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre rasteve dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.
