
Policia zbulon arsenal të rëndë armësh dhe mbi 18 kg kanabis në banesë e lokal gjatë operacionit “New Start 2”
Një operacion i gjerë policor ka çuar në arrestimin e dy personave, babë e bir, në qarkun e Fierit, pasi në pronat e tyre u zbulua një sasi e madhe lëndësh narkotike dhe një arsenal i plotë armësh zjarri.
Të arrestuarit janë Adiol Hoda, 34 vjeç dhe babai i tij Asqeri Hoda, 61 vjeç. Pas një hetimi njëmujor, uniformat blu ndërhynë për arrestimin e 34-vjeçarit në momentin që ai po largohej nga fshati Suk. Gjatë kontrollit në automjetin e tij, policia gjeti dhe sekuestroi rreth një kilogram kanabis, i dyshuar i destinuar për shitje.
Kontrollet u shtrinë më pas në banesën dhe lokalin që dy të arrestuarit kishin në pronësi, ku u zbuluan dhe u sekuestruan 17.6 kilogramë kanabis sativa, dy pistoleta, dy armë automatike, dy granata luftarake, 1110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy aparate celularë dhe një motomjet.
Edhe 61-vjeçari u vu në pranga pas gjetjeve në pronat e tij, ndërsa policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
