
Policia sekuestron dy pistoleta dhe municion luftarak, armët dyshohet se do të shiteshin në Tiranë
Një grup kriminal që merrej me shitjen e armëve të zjarrit është goditur nga Policia e Tiranës pas tre muajsh hetime intensive me metoda proaktive. Operacioni policor, i koduar Members, u finalizua në Kamëz dhe çoi në arrestimin e dy personave, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë shtetasit Bledar Jella, 29 vjeç dhe Xhemal Shehi, 60 vjeç, të dy banues në Kamëz. Ndërkohë, policia është në kërkim të shtetasit S. C., 29 vjeç, i dyshuar si pjesë e të njëjtit grup kriminal. Për dy të arrestuarit, Gjykata e Tiranës kishte caktuar më herët masën e sigurisë arrest në burg.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, nga hetimet rezulton se këta shtetas dyshohet se ishin përfshirë në një veprimtari të organizuar për shitjen e armëve të zjarrit, kryesisht në territorin e Tiranës. Gjatë operacionit janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, si dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për tregtim të paligjshëm.
Hetimet janë zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, dhe kanë zgjatur rreth tre muaj, duke çuar në dokumentimin e aktivitetit kriminal të grupit.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për kapjen e personit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e anëtarëve të tjerë të mundshëm të grupit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
