
Policia zbulon skemën e kalimit të paligjshëm drejt BE-së kundrejt pagesës, 12 emigrantë të transportuar me automjete nga Kukësi.
Policia ka finalizuar operacionin e koduar Relay, të zhvilluar në Tiranë dhe Kukës, për goditjen e një veprimtarie kriminale që ndihmonte shtetas të huaj të kalonin ilegalisht kufirin kundrejt përfitimit financiar.
Gjatë operacionit, në flagrancë janë arrestuar dy persona, B.M., 56 vjeç dhe M.M., 24 vjeç, të cilët u kapën në Kukës teksa transportonin me dy automjete gjithsej 12 emigrantë. Sipas hetimeve, emigrantëve u ishte premtuar kalimi nga kufiri grek drejt vendeve të Bashkimit Europian, në këmbim të shumave monetare.
Burime zyrtare bëjnë me dije se të arrestuarit vepronin në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët kishin role të ndara në organizimin e udhëtimit dhe orientimin e emigrantëve përgjatë itinerarit të paligjshëm.
Në kuadër të hetimeve janë shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar, Sh.K., 40 vjeç dhe E.S., 22 vjeç. Policia po vijon punën për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
