SPAK zbardh detaje lidhur me goditjen e grupit kriminal Rraja, i cili akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike.
Në operacionin e kryer kundër këtij grup të strukturuar kriminal të trafikut të drogës, ra në pranga mes të tjerësh edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.
Por si funksionte grupi kriminal? SPAK paraqet 3 episode
-Episodi i parë, i përket datës 3.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kg, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.
– Episodi i dytë, i përket datës 23.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.
– Episodi i tretë, i përket datës 26.1.2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.
Sipas bluve, grupi kriminal dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike kryesisht në Gjermani.
Në kuadër të operacionit dhe në zbatim të vendimit të GjKKO-së, u kryen 12 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera në pronësi të 10 shtetasve.
Nga këto ambiente u sekuestruan 1 armë zjarri me municion, 7 celularë, 4 automjete, 1 jelek antiplumb, 1 palë dylbi, 415 000 euro, 7 000 paund dhe 1 000 000 lekë.
Gjithashtu, u bllokuan 2 armë gjahu që mbaheshin me leje. Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, dyshohet se këta shtetas, duke bashkëpunuar ndërmjet tyre dhe me të tjerë, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, në shtete të BE-së, kryesisht në Gjermani.
